Rusia do të furnizojë tregjet amerikane dhe globale me miliona ton naftë, sipas marrëveshjes së arritur mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Marrëveshja u bë e ditur nga vetë Trump, pas një bisede telefonike me homologun rus. Në një postim në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan njoftoi se furnizimet do të nisin menjëherë, me synimin për të rritur ofertën në treg dhe për të ulur çmimet e karburanteve.
Sipas njoftimit të Trump, Rusia do të furnizojë menjëherë tregjet me më shumë se 300 mijë ton karburant nafte. Në muajin nëntor parashikohet dorëzimi i 500 mijë tonëve të tjerë, ndërsa më pas do të pasojnë edhe një milion ton.
Përveç këtyre sasive, presidenti amerikan bëri të ditur se Rusia do të furnizojë edhe tre milionë ton të tjerë brenda një periudhe të shkurtër kohore, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.
Trump e cilësoi marrëveshjen si një zhvillim të rëndësishëm për tregjet e energjisë, duke deklaruar se furnizimet ruse, do të sjellin ulje rekord dhe të shpejtë të çmimeve të naftës.
Në të njëjtin njoftim, Trump përsëriti qëndrimin e tij të prerë për programin bërthamor të Iranit, duke theksuar se Teherani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore.


