Kurti paralajmëron protesta për të ndaluar Thaçin dhe shkëmbimin e territorit

schedule14:32 - 2 Shtator, 2018

schedule 14:32 - 2 Shtator, 2018

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta të shumta në ditët në vijim për të kundërshtuar korrigjimin e kufijve me Serbinë. Kryetari Albin Kurti tha se manifestimet do të jenë paqësore dhe bëhen për të kundërshtuar nismën e presidentit Thaçi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke komentuar propozimin për korrigjimin e kufirit me Serbinë, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore. Këto manifestime do të organizohen për “të ndalur krimin që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj”, njoftoi Kurti. Ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, nënvizoi se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë.

Albin Kurti, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje:  “Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”.

Më tej Kurti theksoi se “Kosovës i takon Veriu i saj”, dhe sipas tij kjo është mbështetur nga 115 shtete. Gjithashtu kreu i Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Albin Kurti, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje: “Lugina ka bërë edhe referendum edhe luftë për tu bashkuar me Kosovën, por Thaçi asnjëherë nuk e ngritit çështjen e tyre në Bruksel. Bisedimi me Serbinë pa njohje dhe pranim të krimeve të luftës e forcon faktorin ultranacionalist në Serbi”.

Në fund ai ripërsëriti se “ideja për shkëmbim territoresh që po quhet korrigjim kufirit, sjell ndarjen e Kosovës”. Gjithashtu tha se Presidenti Thaçi tani për tani është më i dobët se kurrë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!