Një foshnjë e porsalindur është gjetur e pajetë mëngjesin e së dielës pranë një kazani mbeturinash në rrugën “Azem Galica” në kryeqytet. Sipas policisë, foshnja nuk është lindur në maternitetet e kryeqytetit, ndërsa po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja u regjistrua në rrugën “Azem Galica”, e cila shkon paralel me shinat e trenit në zonën mbrapa Spitalit të Traumës në kryeqytet.
Pasi janë sinjalizuar nga personat që gjetën foshnjën e seksit femër, blutë e kryeqytetit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku kanë kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Sipas policisë, çanta me foshnjën e pajetë është lënë në anë të rrugës në afërsi të kazanëve të mbeturinave gjatë orëve të natës. Personi që e ka lënë është ndihmuar edhe nga ndriçimi i kufizuar dhe fakti se ky segment ka qarkullim të kufizuar automjetesh apo kembësorësh gjatë orëve të vona.
Kamerat e sigurisë së një marketi përballë vendit të ngjarjes nuk kanë mundur të regjistrojnë asgjë, pasi qepeni ka qenë i mbyllur.
Ndërkohë janë sekuestruar pamjet e kësaj kamere.
Ekspertët e policisë do të verifikojnë nëse fushëpamja e saj përfshin vendin e ngjarjes, apo edhe lëvizjet në rrugë, c’ka do të ndihmonte për identifikimin e ndonjë dëshmitari të mundshëm.
Nga verifikimet e para ka rezultuar se foshnja nuk ka lindur në ndonjë nga spitalet publike apo private të kryeqytetit.
Ende nuk është përcaktuar nëse foshnja ka ndërruar jetë në çantë si pasojë e asfiksisë, ka lindur i pajetë, apo ka ndërruar jetë pak pas lindjes.
Çanta ku u gjet foshja është dërguar në laboratorët e Policisë Shkenore për të evidentuar praninë ose jo të gjurmëve të gishtave në të. Ndërsa eksperët e Mjekësisë Ligjore pritet të përcaktojnë shkakun e vdekjes së saj. /abcnews.al