Ish-ministri grek Tsohaxopulos, njëkohësish dhe ish-numri dy i Pasok, është rikthyer sërish në qeli pasi Gjykata E apelit nuk pranoi të marrë parasysh problemet e tij shëndetësore. Po kjo gjykatë vendosi që ish-ministri të kryejë 19 vjet burg nga 20 që i ishin caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ish-ministri grek i Mbrojtjes, Akis Tsohaxopulos, i cili kishte fituar lirinë me kusht kundrejt një garancie bankare është rikthyer sërish në qeli. Gjykata e Apelit në Athinë nuk mori parasysh as problemet shëndetësore dhe as sjelljen e mirë në burg. Por kjo gjykatë pranoi të ulte vetëm një vit nga dënimi me burg. Nga 20 vjet ish-ministrit i duhet të qëndrojë në qeli 19 vjet.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit, në burg kthehet edhe bashkëshortja dhe e bija e ish-ministrit socialist të PASOK-ut, Areti dhe Vicky Tsohaxopulos. Vetë ish-numri dy i PASOK-ut e priti me qetësi vendimin e Gjykatës duke mos reaguar. Tsohaxopulos u arrestua për marrje rryshfeti në blerjen e armatimeve gjatë kohës që shërbeu si ministër i Mbrojtjes. Kontratat me anë të të cilave u vërtetua përfshirja e ish-ministrit të Mbrojtjes në korrupsion lidhen me blerjen e disa nëndetëseve nga Gjermania dhe disa sistemeve mbrojtëse raketore nga Rusia, për llogari të marinës greke. Tsochatzopoulos u dënua në prill të 2013-s pasi u vërtetua se ai kishte bërë një deklaratë të rreme për të fshehur pasurinë e tij.