Kombëtarja e femrave luan ndeshjen e fundit për Botërorin

schedule16:08 - 31 Gusht, 2018

schedule 16:08 - 31 Gusht, 2018

Kombëtarja shqiptare e femrave do të luajë ndeshjen e fundit eleminatore në Kupën e Botës. Trajneri Grima tregon për gjendjen e ekipit dhe për objektivat në sfidën ndaj Skocisë.

Shpresa është që përmirësimi të vazhdojë. Kombëtarja e femrave e Shqipërisë luan ndeshjen e parë në eleminatoret e Kupës së Botës, pas dy rezultateve pozitive. Barazimi në Poloni dhe fitorja ndaj Bjellorusisë dhanë shpresë, ndonëse testi i fundit në grupin 2, ai kundër Skocisë, është ndër më të vështirët. Vajzat shqiptare të trajnerit Armir Grima u mposhtën 0-5 në takimin e luajtur në Skoci, kjo mjafton për të treguar forcën e kundërshtareve. Në një grup, ku thuajse gjithçka është vendosur, Shqipëria e femrave luan që të paktën të mos dalë e fundit. Një analizë e bën në Shkodër, pikërisht trajneri Grima.

Armir Grima, trajner i kombëtares së femrave: “Kemi një sfidë shumë të madhe më ekipin e Skocisë. Është një ndër ekipet elitare të futbollit të femrave në Europë. Kjo është ndeshja e fundit në grup dhe në përgjithësi ne kemi zhvilluar ndeshje të mira në grupin tonë, pavarësisht që edhe mund të kemi humbur. Synimi gjithmonë është që të mos jemi të fundit në grup. Është një ndeshjë e vështirë, por jo e pakalueshme për ekipin.”

Grima u pyet për gjendjen e ekipit dhe rolin që do të ketë publiku shkodran.

“Për momentin nuk është se kemi mungesa kryesore, kemi një problem me portieren Marigona Zani dhe të shohim se si do ta zgjidhim në vazhdim, Normalisht është një emocion i veçantë të luash në Shkodër. Gjithashtu, pretendojmë dhe shpresojmë që të kemi mbështetjen si gjithmonë të publikut shkodran për futbollin e femrave dhe besoj se nuk do ti zhgënjejmë.”

Ndeshja Shqipëri-Skoci do të luhet të martën në orën 17.00 në “Loro Boriçi” dhe hyrja e tifozëve në stadium do të jetë falas.