Kryeministri Rama shkarkon me vendim qeverie prefektët e 12 qarqeve në vend

schedule14:55 - 1 Nëntor, 2017

schedule 14:55 - 1 Nëntor, 2017

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama ka vendosur lirimin nga detyra të të gjithë prefekteve. Motivet e këtyre shkarkimeve pritet të bëhen publike nga vetë Rama në një komunikim për mediat, të njoftuar nga zyra e tij e shtypit për në orën 16:00. Vendimet në fjalë prekin prefektët e të 12 qarqeve të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Korçë. Vendimet e Këshillit të Ministrave janë të ndara për secilin qark dhe me largimin nga detyra të prefektëve aktuale janë bërë edhe zëvendësimet përkatëse. Këto shkarkime të Kryeministrit që u dukën të befasishme, ishin paralajmëruar prej tij rreth dy javë më parë, kur kishte deklaruar: “Do të kemi një skuadër të re prefektësh që do të mbulojnë territorin e tyre në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Një skuadër që të punojë fort – shtoi atëherë Rama – sepse i kemi parë prefektët në TV vetëm kur ka patur përmbytje”.