Sa herë Barcelona humbet, në skenë del emri i Xavit, të cilin të gjithë e duan në krye të skuadrës katalanase. Së fundmi në lidhje me këtë çështje ka folur edhe vetë trajneri i Al Sadd në Katar.
Ai nuk fshihet se dëshiron të transferohet te Barcelona dhe shprehet se ekziston një mundësi për të marrë drejtimin e Barcelonës, që me shumë mundësi nga vera do duhet të bëjë pa Leo Messin.
“Tani jam te Al-Sadd, jam shumë mirë, në klubin më të mirë në Katar dhe nga atje do të shohim se çfarë do të rezervojë e ardhmja. Të gjithë më shohin si trajner të Barcelonës. Shpresoj, nuk dua të fshihem.
Por respektoj trajnerin aktual, Ronald Koeman dhe klubin, të cilët janë në garë të plotë dhe i uroj më të mirën. Tani ka zgjedhje dhe ne do të shohim se cili president fiton, por natyrisht që po, është një mundësi për të stërvitur Barcelonën padyshim”, u shpreh Xavi. /abcnews.al