Presidenti amerikan ka akuzuar Google se është i trukuar dhe vepron kundër tij. Sipas Trump motori i kërkimit shfaq kryesisht lajme false rreth tij.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar motorin e kërkimit “Google” se është i trukuar. Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmon në një mesazh në tuitër se rezultatet e kërkimeve me fjalën “Trump News” tregojnë vetëm lajme të “mediave me lajme të rreme”. Në këtë mënyrë, shpjegon ai, “pothuajse të gjitha historitë dhe lajmet janë të këqija”.
“CNN-i fals është mbizotërues. Mediat republikane/konservatore dhe të paanshme janë përjashtuar”, shkruan Trump duke ngritur pyetjen nëse ky veprim i Google është i paligjshëm.
Ndërsa në një mesazh të dytë në tuitër, presidenti amerikan vijon me akuzat dhe shton: “96% e rezultateve të kërkimit lidhur me “Trump Neës” vijnë nga media të së majtës. Kjo është shumë e rrezikshme. Google dhe të tjerët po shtypin zërat konservatorë dhe fshehin lajmin e mirë. Ata janë duke kontrolluar atë që mundemi apo nuk mund ta shohim. Është një çështje shumë serioze që duhet adresuar”.
Ndërkohë, ky shpërthim i tij kundër Google, është cilësuar më tepër si një sulm tjetër kundër mediave në Shtetet e Bashkuara. Që prej marrjes së mandatit, Trump ka sulmuar vazhdimisht mediat kryesore në SHBA, duke i akuzuar se shpërndajnë lajme të rremë për të dhe administratën e tij. Shpeshherë ka pretenduar se ato nuk pasqyrojnë punën e bërë, por vetëm probleme. /abcnews.al