Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se, vetëm dhënia fund e Status QUO-së me Serbinë mund të hapë rrugën e anëtarësimit në OKB dhe më pas në NATO dhe BE. Në një intervistë Thaçi ka theksuar është koha që dy vendet të përcaktojnë vijën kufitare prej 400 kilometrash.
Presidenti Hashim Thaci ka deklaruar se, ka ardhur koha që Kosova ta mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e konfliktit me Serbinë përmes një formule të qëndrueshme. Në një intervistë për “European Western Balkans”, Thaçi ka nënvizuar se çështjet e hapura mes dy vendeve janë të shumta, si trashëgimia e luftës, dëmet e luftës dhe të humburit. Disa prej tyre, sipas Thaçit, janë anashkaluar në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, por tani ka ardhur koha që të sheshohen. “Jam kundër kufijve etnikë, por nuk jam naiv. E di që Serbia do të zgjidhte të tërhiqej zvarrë drejt njohjes së pashmangshme të Kosovës. Ata dëshirojnë të mbajnë status quo-në, por kjo nuk është më e mundur”, ka thënë Thaçi.
Në këto rrethana, ka theksuar kreu i shtetit, palët duhet të përcaktojnë kufirin prej 400 kilometrash dhe më pas të vijojnë me anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Prandaj partnerët tanë europianë janë të hapur për një zgjidhje kreative dhe progresive, në mënyrë që ne t’i arrijmë qëllimet tona”, ka vijuar Thaçi. Ai ka nënvizuar se, është fakt që banorët e Luginës së Preshevës dëshirojnë të bashkohen me Kosovën, tendencë që e kanë shprehur edhe përmes një referendumi në vitin 1992. “Ndaj, përfshirja e kësaj pike në dialog mund të zgjidhë një tjetër aspekt të konfliktit, edhe pse jemi ende larg një marrëveshjeje të mundshme”, ka vijuar Thaçi./abcnews.al