SHBA-Meksikë bien dakord për tregtinë, ndryshojnë kushtet e marrëveshjes së ‘95

schedule21:18 - 27 Gusht, 2018

schedule 21:18 - 27 Gusht, 2018

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë shmangur një luftë të mundshme tregtare, duke rënë dakord për kushte të reja. Qeveritë e dy vendeve kanë përcaktuar kuota të reja sa i takon qarkullimit të mallrave, ndërkohë që për finalizimin e marrëveshjes nevojitet edhe konsensusi i Kanadasë.

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë gjetur gjuhën e përbashkët për modifikimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Amerikës së Veriut, e njohur si NAFTA. Ka qenë vetë presidenti Donald Trump, një kritik i ashpër i kushteve aktuale të marrëveshjes, që ka bërë të ditur lajmin në Tuiter. Sidoqoftë, finalizimi i marrëveshjes kërkon edhe nënshkrimin e Kanadasë, që është pjesëtari i tretë i traktatit që prodhon 1 trilion dollarë në vit.

Bisedimet për ndryshimin e kushteve nisën rreth 1 vit më parë, pasi Trump kërcënoi me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara. Presidenti kërkoi me ngulm rinegocimin e paktit të vitit 1994, të cilin e fajëson për rënien e vendeve të punës në Amerikë, sidomos në industrinë e automjeteve. Sipas mediave amerikane, të hënën dy vendet ranë dakord që 75 për qind e produkteve që do të qarkullojnë pa taksë mes tre vendeve duhet të prodhohen në Amerikën e Veriut, ndërkohë që në kushtet aktuale kuota është 62.5 për qind. Sa i takon tregtisë së automjeteve, palët gjetën gjuhën e përbashkët që ato të prodhohen në fabrika që ofrojnë rroga të larta për punonjësit, në përpjekje për të dekurajuar firmat që ngrenë impiante në ato zona të Meksikës ku standardet janë të ulëta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!