Ramona Tullumani është vlerësuar në Itali me çmimin “Guseppe di Stefano”. Sopranoja shqiptare, në një intervistë për ABC News, rrëfen emocionet e këtij çmimi dhe planet për sezonin e ri artistik në teatrin e Sofies dhe atë shqiptar.
Sopranoja shqiptare Ramona Tullumani është vlerësur me çmimin ndërkombëtar “Guseppe di Stefano”. Artistja pranon se emocionet ishin të mëdha për këtë nderim, pasi është shqiptarja e parë që e rrëmben këtë trofe. Më herët, me këtë çmim janë nderuar emra të mëdha të muzikës klasike.
Ramona Tullumani, Soprano:“Në fillim kur mu tha nga agjenti im në Romë, ishte për mua një surprizë sepse motivacioni më emocionoi sepse quhej “La stella della lirica albanese”. Ky ishte motivacioni kryesor dhe kjo gjë më emocionoi shumë. Mua më ka pëlqyer dhe gjithmonë do ta mbaj fort atë gjënë që unë jam shqiptare dhe shkoj atje si e tillë. Në Itali mora një çmim të “Guseppe di Stefano” i cili është tenori më i madh që ka pasur ndonjëherë lirika botërore, këtë vit e mori një shqiptare, ku e di shumë mirë që para 2 vitesh e ka marrë tenori i madh Carreras, që është një nga emrat më të rëndësioshëm të operas, ka qenë një emocion shumë i madh.”
Megjithëse ky çmim nuk specifikon një rol të veçantë, ajo mendon se vlerësimi nga kritika italiane, ka ardhur për rolin e Violetes, të cilin e ka interpretuar shumë në teatro të ndryshëm në Itali.
“Në fakt Violeta si rol është një nga rolet që unë kam luajtur më shumë në Itali, Në fakt, një gjë të veçantë për organizimin e këtij eventi ishte dhe fakti që u quajt si Osca-i italian i muzikës operistike. Këto këngëtarë që vijnë me një karrierë shumë të madhe dhe pastaj pjesa tjetër e këngëtarëve të rinj, ishte një lëvizje shumë e bukur e menduar nga ideatorët që mua mu duk shumë e veçantë. Që nga më të mëdhenjtë deri tek më të rinjtë, u duk taman si një Oscar.”
Këtë çmim e cilëson si një kthesë në karrierën e saj artistike.
“Unë mendoj që është si një kthesë. Janë të rëndësishme çmimet në karrierën për këngëtarët e operas. Është shumë e rëndësishme të dalësh, të këndosh, të të njohin njerëzit. Por përveç çmimit e rëndësishme është dhe ku u bë, në një nga arenat më të rëndësishmë që ka Italia, mbas “Arena di Verona” patjetër. Është me të vërtetë një gjë e jashtëzakonshme, unë nuk e prisja, nuk kisha qenë ndonjëherë atje dhe kur e pashë më bëri përshtypje, një arena me mbi 4000 veta. Një gjë që më bën krenare siç na bën ne shqiptarëve gjithmonë krenarë, aty nuk lash pa thënë që unë vij nga vendi i Nënë Terezës. Nuk mund ta lija pa e thënë këtë gjë dhe isha krenare sepse duke qenë një artiste që vjen nga një familje artistësh jam rritur duke i dëgjuar operat e Giussepe di Stefano-s dhe e kujtoj akoma më shumë rëndësinë e këtij çmimi. Sa herë që vihet Traviata, Rigoletto etj, unë gjithmonë jam prezente në operan e Sofies”.
Shtatori po afron dhe kalendarin artistik e nis në teatrin e Sofies me Traviatën, më pas Rigoletto, por ajo do jetë pjesë edhe në një tur koncertor në Indonezi.
“Mendoj që do të kem edhe produksione të tjera që do të vihen në Teatrin e Operas të Sofies, por për momentin këto janë kryesoret dhe një rrugë tjetër të largët që është në Indonezi për një koncert operistik.”
Ndërkohë që gjithmonë çmimet jo vetëm të japin satisfaksion, por ndërkohë të hapin edhe dyer të reja dhe siç duket një rol i ri do të vijë së shpejti për sopranon shqiptare.
“Më i freskëti fare që mua tha edhe si opsion, duke parë se si e realizoj unë Violetën, mua tha se do isha një Manon shumë interesante.”/abcnews.al