Dosja “Habilaj”, kalon gjysma e afatit

schedule16:13 - 31 Tetor, 2017

schedule 16:13 - 31 Tetor, 2017

Nezar Seiti, një nga personat e arrestuar në Vlorë, me dyshimin si pjesëtar i bandës së Habilajve, rrezikon të fitojë lirinë. Autoritetet e drejtësisë në Katanja nuk kanë dërguar ende në prokurorinë shqiptare dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tij në Itali.

Masa e sigurisë vendosur nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda 20 ditë burg per Nezar Seitin dhe jo 40 ditë sa eshte afati maksimal ne raste ekstradimesh, ka vënë prokurorinë në sfidë me kohën. Asaj i duhet të sigurojë sa më parë mundësinë ligjore për të mbajtur në qeli një person të kërkuar prej saj, por edhe prej drejtësisë italiane.

Nezar Seiti është një nga personat e ndaluar në Vlorë, me dyshimet si pjesëtar i bandës së vëllezërve Habilaj, i kërkuar nga drejtësia italiane. 40-vjeçari, sipas dosjes hetimore, ka pasur rolin e financierit të organizatës kriminale, duke u kujdesur për blerjen e gomeneve të shpejta dhe shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës.

Deri tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nuk ka ardhur asnjë materiale shtesë apo leter porosi nga homologët e tyre të Katanias për të mundësuar ekstradimin drejt Italisë së këtij shtetasi. Në këto kushte, kur ka kaluar pothuajse gjysma e afatit prej 20 ditësh, të vendosur si masë sigurie nga gjykata për Nezar Seitin, ky i fundit rrezikon të lirohet dhe ti shpëtojë drejtësisë italiane. 40-vjeçari u arrestua për llogari të hetimeve të nisura nga prokuroria Italiane në tetor të 2013. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj tij më 17 tetor të këtij viti. Nezar Seiti u arrestua në Vlorë, gjatë operacionit të zhvilluar në Babicë, ku u sekuestruan rreth 4 tonë kanabis sativa në banesën e Armand Kaçorrit, pjesë e grupit të Moisi Habilajt.
Në janar të këtij viti, Nezar Seiti ishte regjistruar teksa flet në telefon me anëtarin tjetër të grupit, Meridian Sulaj, ku i thotë se bashkëpunimi me policinë nuk po shkon si më parë.
Në dosjen e Prokurorisë së Katanias janë të evidentuar 12 shtetas, 4 prej të cilëve italianë, që rezultojnë të implikuar por përmenden edhe persona të tjerë mes tyre edhe femra që mereshin me kultivimin dhe paketimin e kanabisit.