Një Tiranë me standarde më të larta jetese për qytetarët deri në vitin 2030. Ky është vizioni i kryesocialistit Edi Rama, sipas të cilit zhvillimi ekonomik tashmë do të përkthehet në kushte më të mira jetese në kryeqytet.
Në fokus është veçanërisht strehimi, një nga sfidat më të mëdha për familjet e reja, të cilat përballen me çmime të larta të apartamenteve dhe qirave. Objektivi i shpallur është mbështetja e mijëra familjeve deri në vitin 2030, përmes instrumenteve të ndryshme të strehimit, përfshirë banesat sociale, kreditë e lehtësuara dhe format e tjera të strehimit të përballueshëm.
Një tjetër element i rëndësishëm për Tiranën do të jetë edhe infrastruktura arsimore. Zgjerimi i kapaciteteve të kopshteve dhe shkollave, ndërtimi i ambienteve të reja dhe krijimi i kushteve moderne për fëmijët janë pjesë e nevojave që shoqërojnë rritjen e popullsisë dhe zgjerimin urban të Tiranës.
Kreu i selisë rozë premtoi më shumë mbështetje edhe për pensionistët, të cilët, duke nisur nga 1 janari, do të përfitojnë më tepër para, një shtesë kjo që do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.
Por qytetarët në kryeqytet do të kenë çmime më të lira për produktet e shportës.
Tirana 2030, sipas kryeministrit, nuk është vetëm një objektiv për një kryeqytet më modern, por edhe një sfidë për ta bërë atë më të përballueshëm për ata që jetojnë dhe punojnë në të.



