Pa gjuhë, pa “ Fol shqip!” nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari”
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në prag të Ditës së Alfabetit bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës shqipe.
Në një bashkëbisedim me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare, pjesë e nismës “fol shqip”, Kreu I shtetit theksoi rëndësinë e angazhimit të përditshëm, në familje, në shkollë, në institucione, për ruajtjen e një prej elementëve themelorë të identitetit kombëtar.
Presidenti Begaj u ndal te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë.
“ Ju besoj e dini se Presidenti i Shqipërisë mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk ishte thjesht një formalitet. Ishte një mesazh për të treguar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në tokën e tyre, në vendin e tyre, dhe kanë të drejtat e tyre, të drejta të cilat duhen mbrojtur. Jo pa qëllim bëra edhe një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku u takova me një përfaqësi të studentëve që protestonin”
Presidenti theksoi se çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim përtej dallimeve politike.
“Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo”
Duke sjellë në vëmendje Kongresin e Manastirit të vitit 1908, si një shembull të bashkimit të shqiptarëve rreth një çështjeje madhore kombëtare, atë të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, Presidenti u shpreh se edhe sot, kur bëhet fjalë për gjuhën, kulturën dhe të drejtat e shqiptarëve, është e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të veprojnë së bashku.
Shembull solli komunitetin arbëresh në Itali, i cili ka ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar ndër shekuj.



