Nga Glidona Daci
ABC zbardh detaje të reja nga tentativa e grabitjes mbrëmë në Kavajë. I zoti i shtëpisë, Baki Guga u ka thënë uniformave blu, gjatë marrjes në pyetje, se djali i tij ndodhej në Kavajë pasi kanë një biznes për tregtimin e materialeve të ndërtimit. Kurse ai vetë ishte në bankë për të firmosur disa dokumente dhe ishte kthyer në shtëpi pak minuta para ngjarjes.
Kryefamiljari ka treguar në polici se ai pa dhe dëgjoi tre grabitësit të futen nga dera kryesore. Pasi kaluan oborrin, në hyrjen e ndërtesës, ata u konfrontuan fizikisht me nusen e shtëpisë dhe vajzën e saj, e me pas janë larguar.
Sipas dëshmisë së Baki Gugës, tre grabitësit kanë qenë të maskuar, por ai nuk ka mundur të dallojë nëse kanë pasur armë.
Polica ende nuk ka një ide të qartë për autorët që tentuan të grabisnin në familjen Guga. Por sipas të dhënave paraprake dyshohet se grabitësit kanë pasur dijeni që në shtëpi nuk ndodheshin kryefamiljarët.
Burime nga policia e Kavajës thanë se deklarimet e familjes Guga nuk i kanë ndihmuar efektivët blu në identifikimin e autorëve.
Vila 4 katëshe që ra pre e tentativës për grabitje, është e ruajtur edhe nga kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave do te kqyren nga hetuesit. Fshati Karpen ka disa rrugëdalje, çka sipas policisë, vështirëson identifikimin e tyre.
Djali i Baki Gugës jetonte jashtë Shqipërisë. Por ka ardhur prej pak kohesh./ db/Abcnews.al