Klopp: City po fluturon, jemi të lodhur mendërisht! Tani kam vetëm një detyrë

schedule10:56 - 4 Shkurt, 2021

schedule 10:56 - 4 Shkurt, 2021

Liverpool u mposht në shtëpi nga Brighton me rezultatin 0-1 dhe Manchester City numëron 7 pikë më shumë, kur ka edhe një ndeshje për ta luajtur. “The Reds” po e dorëzojnë kurorën dhe trajneri Jurgen Klopp e di shumë mirë që duhet gjetur sa më shpejt një zgjidhje. Gjermani vë në dukje edhe problemin e skuadrës së tij.

“Kundër Brighton dukeshim sikur nuk ishim të freskët mjaftueshëm, mendërisht dhe fizikisht. Në shumë momente e dorëzuam topin lehtë, në momente të tjera djemtë dukeshin të lodhur mendërisht. E di që djemtë mund të pasojnë saktë, por nuk ndodhi. Ia bëmë të lehtë kundërshtarit, që gjithashtu luajti mirë.

Brighton e meritonte të fitonte dhe këtë e them pa asnjë dyshim. Për mua më e rëndësishme është të gjej një shpjegim pse e humbëm këtë ndeshje dhe të kuptojmë se çfarë na ndodhi. Nuk dukeshim bindës në fushë”, tha pas ndeshjes Klopp për BBC Radio 5.

Më pas ai foli edhe për BT Sport: “Ju e patë çfarë shkoi keq, tani më e rëndësishme është pse. I vetmi shpjegim është se jemi të lodhur mendërisht. Kjo bën që të mos jesh i freskët edhe nga këmbët. Brigton luajti më mirë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është nxjerrja e mësimeve. Zgjidhja është gjithmonë te lojtarët. Manchester City po ‘fluturon’ dhe duhet të gjejmë një zgjidhje”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!