Manchester City arriti fitoren e nëntë radhazi në kampionat ditën e sotme. Ekipi i Pep Guardiolës triumfoi 0-2 në fushën e Burnley dhe e ka dërguar në tre pikë diferencën me United ndjekës (City ka luajtur një ndeshje më pak).
Goli i parë erdhi shumë shpejt për miqtë. Gabriel Jesus përfitoi nga një grushtim i pasigurt i portierit vendas dhe kaloi ekipin e tij në avantazh në minutën e tretë. Rahem Sterling realizoi golin e qetësisë në minutën e 38-të.
Sulmuesi anglez mori një asist nga Gundogan dhe nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, duke vulosur fitoren e Manchester City. I njëjti rezultat edhe në takimin Fulham-Leicester City.
Skuadra e Brendan Rodgers kishte marrë vetëm një pikë në dy sfidat e fundit në Premier League. Të dy golat e fitores u shënuan në fraksionin e parë të ndeshjes. Kelechi Iheanacho dhe James Justin autorët e golave, teksa në të dy rastet ishte Maddison ai që dhuroi pasimin e fundit.
https://streamable.com/pkxc65
Suksesi i sotëm e ka ngjitur Leicester City në vend të tretë të kampionatit anglez. “Dhelprat” numërojnë 42 pikë, dy më pak se United i një vendi më lart dhe pesë larg “armatës” së Pep Guardiolës. /abcnews.al