Provimet online, rektorati e studentet presin “Komitetin”

schedule19:24 - 1 Shkurt, 2021

schedule 19:24 - 1 Shkurt, 2021

Nga Maksi Rama

Mësimi dhe sezoni i provimeve në universitete do të zhvillohet online, por po shqyrtohet mundësia edhe për në auditore. Kjo është deklarata e kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli gjatë mbledhjes së sotme.

 “Në lidhje me kërkesën e universiteteve që meqë hyjnë në sezonin e provimeve t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave”, u shpreh Rakacolli.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha përmes një deklarate bën me dije se provimet e semestrit të parë do të zhvillohen online.

Megjithatë nuk përjashtohen edhe rastet kur provime specifike të kryhen në auditore.

 “Provimet të cilat nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikës së lëndës, me kërkesë të titullarit të lëndës dhe me miratim të përgjegjësit të njësisë bazë, do të zhvillohen në auditor vetëm pas marrjes së miratimit përfundimtar nga Komiteti i Ekspertëve”.

Kërkesa e vazhdueshme  e studentëve është që të rikthehen në auditore.

Në funksion të kësaj, ata deri më tani kanë mbledhur mbi 10 mijë firma online brenda pak ditësh, që do ia dorëzojnë Komitetit Teknik të Ekspertëve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!