VIDEO/ Dy “krisma” për fitoren e radhës, Juventusi në ndjekje të Milanit

schedule19:56 - 30 Janar, 2021

schedule 19:56 - 30 Janar, 2021

Milani fitoi në transfertë sot dhe të njëjtën gjë bëri edhe Juventusi. Kampionët në fuqi iu falën golave të Federico Chiesa dhe Aaron Ramsey për të thyer 0-2 Sampdorian në Xhenova.

Bardhezinjtë rikuperuan një top në gjysmëfushën e skuadrës kundërshtare në minutën e 20-të, Morata kombinoi bukur me CR7 dhe dhuroi një top në zonë, të cilin Chiesa e dërgoi lehtësisht në rrjetë.

Goli i gjashtë në kampionat për lojtarin e kombëtares italiane. Miqtë gjetën rrugën e rrjetës sërish në pjesën e dytë, por Alvaro Morata ishte në pozicion të parregullt.

Goli i qetësisë erdhi në minutat shtesë të ndeshjes. Kundësulm perfekt i Juventusit dhe finalizim i mesfushorit uellsian, i cili mori një asist nga Juan Cuadrado.

 

Përfundimisht 0-2 për skuadrën e Andrea Pirlos, që renditet në vend të tretë në Serie A. “Zonja” numëron 39 pikë, shtatë më pak se Milani kryesues, që ka luajtur një ndeshje më shumë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!