Nga Maksi Rama
Pasqyrimi i vazhdueshëm i dëmeve që ka pësuar rruga dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, nuk po mjafton që autoritetet përgjegjëse të marrin masa. Si në ditët me diell, po ashtu dhe në ditët me shi, për shkak të amortizimit dhe gropave të shumta, kalimi i automjeteve është kthyer në sfidë për çdo drejtues.
“Kush ka me i rrugullu këto, s’ka njeri. Shtet s’ka,” thotë një qytetar.
“Problematika është shumë e keqe. Edhe kjo ka pak vite që është ba. Kuptohet që 5 cm asfalt do prishet shumë shpejt. Një gropë aty, një devijim bën karambolin, mund të mbytësh edhe robin,” thotë një tjetër.
Mungesa e mirëmbajtjes dhe reshjet e shiut muajt e fundit, e kanë çuar drejt degradimit edhe më të madh këtë segment rrugor tepër të rëndësishëm. Gropat e mëdha me ujë, detyrojnë automjetet të devijojnë shpesh sa bëhen edhe shkak për aksidente të mundshme.
“Këtu e thyeva krahun unë, se frenoi tjetri dhe unë s’e pashë.”
Degradimi i rrugës dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, krijon dhe trafik në orare të ndryshme të ditës, duke shkaktuar probleme në mbarëvajtjen e punës së dhjetëra bizneseve që gjendën në këtë zonë
Shqetësuese bëhet situata edhe në rastet e emergjencave. Po ashtu gjendja e këtij segmenti ka shkaktuar dëmtime serioze të automjeteve, duke shtuar kostot për qytetarët. /abcnews.al/