Nga Juxhin Mustafaraj
90 ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, demokratët kanë gati alternativën e tyre për qytetarët shqiptarë. Grupi i ekspertëve të ekonomisë në Partinë Demokratike pas një pune 1 vjeçare në bashkëpunim me ekspertët gjerman të CDU-së, kanë dorëzuar në tryezën e Lulzim Bashës planin përmes të cilit ai do të kërkojë votëbesimin e shqiptarëve për të qenë në krye të vendit për 4 vitet e ardhshme.
Ekonomia do të jetë shtylla kryesore e programit të demokratëve. Ndryshimi për Lulzim Bashën duhet të nis nga taksat. Demokratët propozojnë që të ulet barra për biznesin nga 15 në 9 % përmes taksës së sheshtë.
Nëse do të marrë votëbesimin e shqiptarëve, Lulzim Basha ka premtuar se karburantin do ta paguajnë më lirë, pasi do të hiqet taksa mbi karburantin prej 24 lekësh. Ndërhyrje do të ketë edhe në skemën e sigurimeve shoqërore, të cilat demokratët premtojnë t’i ulin nga 24 në 18 përqind ku 9% të vlerës do ta paguaj punëdhënësi dhe 9 përqind do të jetë detyrim i punëmarrësit.
Demokratët janë të bindur se falë menaxhimit që do t’i bëjnë kompanive shtetërore të energjisë, do të mundësojnë uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin. Ndërkohë që lehtësira pritet të ketë edhe për bizneset e huaja që do të kenë interes për të investuar në Shqipëri.
Një prej pikave kryesore të programit ekonomik të demokratëve pritet të jetë edhe vendosja në filtër e të gjithë koncensionareve dhe kontrateve të partneritetetit publik privat nga viti 2005 kur qeverisnin vetë demokratët dhe kryesisht kontratat e dhëna gjatë 8 vjeçarit të fundit nga maxhoranca e majtë. Përmes ligjit antimafia demokratët janë të bindur se të gjithë koncensionet korruptive do të zhbëhëne dhe shqiptarëve do të mund t’i rikthehen paratë e marra përmes kontratave abuzive.
Një prej sektorëve që do të vlerësohet si prioritar në programin e demokratëve është edhe ai i arsimit.
Lulzim Basha është zotuar se si kryeministër ndër vendimet e para që do të marrë është anulimi i ligjit të arsimit të lartë. ABC ka mësuar se PD parashikon në programin e saj dyfishim të buxhetit për arsimin, ndërkohë që do të ketë mbështetje financiare për çdo student që vjen nga familje me të ardhura mujore më pak se 64 mijë lekë në muaj. Për të krijaur një frymëmarrje në tregun e punës, demokratët parashikojnë në program që të mbështesin financiarish 10 mijë studentët më të mirë për çdo vit akademik.
Duke e cilësuar si të padrejtë, trajtimin e fermerëve nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, demokratët premtojnë 100 milionë euro subvencione çdo vit. Ndërkohë që mbështetje në vlerën e 50 milionë eurove pritet të ketë për të gjithë prodhuesit e produkteve Made in Albania.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike përballë shqiptarëve pritet të prezantohet të enjten nga kreu i opozitës, Lulzim Basha dhe ekspertët e tij që kanë punuar përgjatë këtyre muajve për alternativën që do t’i ofrojnë shqiptarëve për zgjedhjet e 25 prillit. /abcnews.al