Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka zbardhur takimin e Yuri Kim, e cila së bashku me Luigi Sorecën zhvilluan sot një bisedë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në njoftimin zyrtar, ambasada shprehet se SHBA do të vijojë që të mbështesë me forcë zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Yuri Kim nënvizoi detyrimin që gjykatësit të veprojnë me pavarësi dhe integritet në dhënien e drejtësisë, pavarësisht nga institucioni që i emëroi ata në Gjykatë. Ambasadorja Kim theksoi rolin e rëndësishëm që Gjykata luan për të siguruar kontrollin dhe balancën e institucioneve të Shqipërisë dhe për të siguruar shtetin e së drejtës.
Ajo përsëriti se mbështetja e SHBA do të vazhdojë, përfshirë edhe nëpërmjet sigurimit të ndihmës teknike. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë zbatimin e Reformës në Drejtësi, dhe nxisin autoritetet përkatëse të sigurojnë që Gjykata Kushtetuese të ketë trupën e plotë të nëntë gjykatësve në të ardhmen e afërt, në mënyrë që populli i Shqipërisë të ketë drejtësi të vërtetë, në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe aspirante për në BE” mbyllet deklarata./ db/Abcnews.al