Temperaturat e ulëta i kanë detyruar qytetarët të grumbullohen në mjedise të mbyllura. Barriera mbrojtëse nuk iu duhet teksa konsumojnë një kafe ndërsa të qëndruarit në distancë nga tjetri nuk e shohin të nevojshme.
Pamje të tilla ndesh në shumë prej lokaleve në Tiranë ndonëse rastet e të infektuarve me koronavirus po njohin rritje. Nëse në fund të dhjetorit ndër 100 mijë banorë sipas Institutit të Shëndetit Publik 217 rezultonin të prekur prej Covid 19 në fillim të janarit ky numër shkoi në 260.
Por duket se kjo nuk u bën përshtypje shumë prej banorëve të kryeqytetit të cilët nuk mbajnë maskë as kur ecin në rrugë, as kur qëndrojnë në grup apo dhe kur udhëtojnë me autobus.
Më shpërfillës ndaj masave që frenojnë përhapjen e infeksionit sheh të rinjtë, grupmoshë e cila sipas Ekspertëve të Komitetit Teknik për Covid 19 po shton radhët e të prekurve nga koroanvirusi.
“Vihet re një rritje e grupmoshës 15-24-vjeç”. Kështu deklaroi Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino një ditë më parë kur ekspertët vendosën të lenë në fuqi kufizimet antiCovid 19./ db/Abcnews.al