Mutacioni anglez i virusit mund të çojë në rritje të rasteve në SHBA

schedule10:47 - 16 Janar, 2021

schedule 10:47 - 16 Janar, 2021

Një variant shumë ngjitës i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar mund të bëhet lloji dominues në SHBA, deri në mars, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmëruan për rritje të shpejtë të variantit në javët e ardhshme.

Sipas tyre një rritje e tillë mund të kërcënojë më tej sistemet shëndetësore të tendosura . Paralajmërimi erdhi të premten, ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden zbuloi një plan ambicioz për të rritur vaksinimet.

Për të përmbushur synimin e tij për vaksinimin e 100 milionë amerikanëve brenda 100 ditëve të tij të para në detyrë, Biden tha se administrata e tij do të merrte një rol më aktiv në rritjen e shpërndarjes së vaksinave.

Ai përshkroi një plan për të ngritur qendra të reja të vaksinimit masiv, të punësojë punonjës shtesë shëndetësorë dhe të sigurojë që dozat e vaksinës të jenë në dispozicion për të gjithë, përfshirë komunitetet e pakicave që janë goditur më shumë nga epidemia.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, deri më tani, 12.2 milionë doza vaksinash janë administruar në SHBA, një shifër që Biden e ka kritikuar si të pamjaftueshme. Më shumë se 30 milionë doza janë shpërndarë në shtete.

Në një fjalim të premten, Biden u tha amerikanëve se jemi në një dimër të errët, duke pranuar se gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen.

“Kjo do të jetë një nga përpjekjet më sfiduese operacionale të ndërmarra ndonjëherë nga vendi ynë” tha Biden.

Adresimi i tij erdhi një ditë pasi ai njoftoi një paketë stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh për ekonominë e dëmtuar të SHBA-së që përfshinte edhe 20 miliardë dollarë të tjerë për shpërndarjen e vaksinave. Plani do të duhet të miratohet në Kongres.

SHBA ka regjistruar numrin më të lartë në botë të infeksioneve të konfirmuara të koronavirusit, 23.5 milionë. Rreth 391,000, viktimat e koronavirusit në vend përbëjnë një të pestën e totalit global, i cili kaloi kufirin prej dy milionësh të premten./abcnews.al