Futen në grevë tre zyrtarë të Kryeministrisë në Kosovë

schedule17:45 - 15 Janar, 2021

schedule 17:45 - 15 Janar, 2021

Tre zyrtarë të Zyrës së Kryeministrit në Kosovë kanë njoftuar se kanë hyrë në grevë. Këshilli Grevist që përbëhet nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari dhe Arlinda Sejdiu-Likaj, pretendojnë se ka pasur parregullsi në hartimin e Rregullores për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizim të Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit.

Sipas dokumentit që e ka siguruar Express, Këshilli Grevist është duke pretenduar se dokumenti të cilin e ka bërë Grupi Punues i përbërë prej dhjetë personash nuk është i njëjtë me atë që e ka nënshkruar kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

E si duket kjo grevë nuk do të ndalet deri në anulimin e kësaj rregulloreje. Përmes një reagimi për media, nga Këshilli Grevist është theksuar se janë duke e kundërshtuar këtë rregullore për shkak të shkeljeve ligjore që janë vërë gjatë hartimit të saj.

“Kjo Rregullore është duke u kundërshtuar për shkak të shkeljeve ligjore të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të hartimit të saj. Grevistët e vlerësojnë që kjo Rregullore përbën shkelje të shumta procedurale dhe materiale të legjislacionit në fuqi. Greva do të vazhdojë deri në Anulimin e Rregullores 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!