Tregtia me Iranin, Kina dhe Gjermania sfidojnë Trump

schedule22:19 - 8 Gusht, 2018

schedule 22:19 - 8 Gusht, 2018

Kina dhe Gjermania janë bërë vendet e para që kanë sfiduar Shtetet e Bashkuara në lidhje me Iranin. Pas rivendosjes së sanksioneve, Pekini dhe Berlini kanë deklaruar se do të mbrojnë interesat e tyre tregtare. Ndërkohë, Teherani vlerëson se plani i Trump nuk do të funksionojë.

Kina dhe Gjermania kanë bashkuar forcat kundër presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruarr se do të vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Iranin, pavarësisht sanksioneve. Komentet e Pekinit dhe Berlinit zyrtar tregojnë se partnerët e Shteteve të Bashkuara janë të acaruar nga masat e marra nga Uashingtoni, që do të penalizojë bizneset e palëve të treta që do të bashkëpunojnë me Republikën Islamike. “Bashkëpunimi tregtar i Kinës me Iranin është i hapur, transparent, i arsyeshëm dhe legjitim. Ai nuk shkel asnjë nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme. Qeveria në Pekin nënvizon se vazhdimisht i ka kundërshtuar sanksionet e vendosura në mënyrë të njëanshme dhe se do të mbrojë të drejtat e tij legjitime.

Ndërkohë, qeveria gjermane ka deklaruar se sanksionet amerikane ndaj Iranit kanë një ekstra-territorial, që shkel ligjin ndërkombëtar. Berlini ka bërë me dije se pret që Uashingtoni të marrë parasysh edhe interesat e Europës kur bëhet fjalë për masa të tilla. Ndërkohë, presidenti iranian Hassan Rouhani, ka hedhur poshtë çdo mundësi për bisedime me Shtetet e Bashkuara. “Në ditët e sotme, Amerika identifikohet si një vend i pabesë, që nuk përmbush asnjë prej detyrimeve të tij”, ka deklaruar Rouhani. Ndërsa ministri i Jashtëm, Mohamad Javad Zarif ka deklaruar se sanksionet nuk do të funksionojnë. “Synimi i presidentit Donald Trump për të detyruar botën të mos blejë naftën iraniane është i pashpresë”, ka thënë Zarif./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!