Itali, emigrantët në grevë

schedule20:21 - 8 Gusht, 2018

schedule 20:21 - 8 Gusht, 2018

Emigrantët afrikanë në Itali kanë protestuar të mërkurën për të kërkuar kushte më të mira pune. Manifestimi vjen pak ditë pas dy aksidenteve ku 16 emigrantë që punonin në kampet bujqësore humbën jetën në dy aksidente teksa ktheheshin nga puna raskapitëse.

Emigrantët afrikanë në Itali kanë mbajtur të mërkurën një grevë në shenjë proteste ndaj kushteve të rënda të punës dhe vdekjes së shokëve të tyre në dy aksidente rrugore që morën 16 jetë. Me parullën “Ne nuk jemi skllevër”, emigrantët kanë ulur veglat dhe kanë marshuar në rrugët e qytetit të Foxhas, në jug të Italisë, ku pak ditë më parë ndodhën aksidentet. Në të dyja rastet, furgonët ku udhëtonin emigrantët u përplasën me kamionë që transportonin domate, të mbledhura nga vetë ata në kampet bujqësore.

Për të denoncuar kushtet e rënda, emigrantët kanë mbajtur gjatë protestës kapelet e kuqe që mbajnë gjatë punës raskapitëse për t’u mbrojtur nga dielli. Shumica e tyre kanë lejen e qëndrimit, por pavarësisht kësaj paguhen nën nivelin e pagës së rregullt, zakonisht 1 euro për 100 kilogramë domate të mbledhura. Dy ngjarjet, më e rënda prej të cilave ajo e 6 gushtit ku humbën jetën 12 persona, kanë shkaktuar reagime të figurave të njohura që kanë dalë në mbështetje të emigrantëve. Aktori i njohur Michele Placido i ka quajtur viktimat “martirë” dhe ka paralajmëruar se do të shkojë në varrimin e tyre. Ndërsa ish-shefi i Antimafias dhe ish-president i Senatit, Pietro Grasso i ka krahasuar vdekjet e emigrantëve afrikanë me atë të 136 emigrantëve italianë në një minierë të Belgjikës në vitin 1946. “Janë ngjarje që ngjajnë shumë me njëra-tjetrën. Shfrytëzimi dhe siguria në punë nuk kanë ngjyrë”, ka thënë Grasso./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!