Te Tirana duket se më në fund ka ardhur radha e lajmeve të mira. Elton Cale kishte një problem në shpatull që në sezonin e shkuar dhe në fund iu desh të operohej për të eliminuar plotësisht dhimbjet.
Ndërhyrjen ai e kreu në një nga spitalet e Brazilit, ku vendosi të vazhdojë edhe periudhën e rikuperimit. Lajmi i mirë është se pjesa më e vështirë për anësorin ka përfunduar dhe ai është kthyer në Tiranë.
Lajmin e jep vetë ai, i cili ka publikuar një story me shokun e tij të ngushtë, Agustin Torassa në një nga lokalet e Tiranës. “Shumë ftohtë në Tiranë? Mos u shqetësoni, zjarri është këtu”, shkruan Cale.
Në fakt në Tiranë ftohtë ka qenë këto ditë, por Cale mund ta ketë edhe për “të ftohin” në tabelën e renditjes, ku Tirana renditet në vendin e pestë 12 pikë nga Vllaznia e vendit të parë.
Me siguri braziliani do nisë dalëngadalë stërvitjen dhe në fund të këtij muaji pritet të jetë në gjendje të kontribuojë për ekipin e tij. /abcnews.al