Situata ekonomike dhe vendimmarrja e qeverisë ishin në fokus të denoncimeve të Partisë Demokratike. Sipas demokratëve nga korrupsioni i qeverisë, çdonjërës prej 800 mijë familjeve shqiptare i është vjedhur mesatarisht 5 mijë euro.
Shqiptarët nuk janë vetëm të papunë dhe në gjendje të keqe ekonomike në përshkrimin e Partisë Demokratike, por edhe të zhvatur nga qeveria.
Shehaj: “Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 3.7 miliardë euro është abuzimi me buxhetin i qeverisë Rama.
Duke pasur parasysh që janë 800.000 familje që jetojnë në Shqipëri i bie që kjo qeveri i ka vjedhur pothuajse 5000 euro çdo familjeje shqiptare”.
Kjo është vjedhje e certifikuar thotë deputeti Agron Shehaj, sipas të cilit një konstatim të njëjtë e ka bërë edhe departamenti amerikan i shtetit.
Shehaj: “Kjo qeveri nuk përdor tenderat për të ndërtuar infrastrukturën, si këshillojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare, por partneritetet sepse ne kete menyre thela bëhet me e majme, vidhet me shume dhe për një kohë të gjatë.
Mjafton një fakt, nga mbi 200 partneritete që qeveria Rama ka bërë, pothuajse asnjë prej atyre me vlerë të rëndësishme nuk është bërë me një kompani perëndimore”.
Sipas deputetit Agron Shehaj projekti 1 miliardë është shumë i mire për Ramën dhe partnerët e tij por jo për shqiptarët.
Shehaj: “Nëse me tender rrugët ndërtoheshin me 1 milionë euro për çdo km , me partnerët e Ramës ato do kushtojnë 10 milion euro për km.
Nuk bëhet Shqipëria me ministra dhe politikanë të pandershëm, të etur për pushtet dhe që mendojnë vetëm për vete”.
Anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive do të jetë Akti i parë që Partia Demokratike do bëjë kur të marrë votëbesimin e shqiptarëve dhe jo vetëm.
Pelinku: “Rishikim i ligjit të koncesoneve e prokurimeve për të siguruar konkurrencë të lirë, do të jetë prioritare së bashku me Ligjin Antimafia që do të kthejë çdo qindarkat të vjedhur nga qeveria nëpërmjet krimit e korrupsionit të shqiptarët”. /abcnews.al