Më në fund Tiranës i është dhënë e drejta për të vepruar në merkato nga FIFA. Paniku që kaluan kryeqytetasit këto ditë i ka ardhur fundi, pasi mendohej se ata nuk do të lejoheshin nga qeveria e futbollit për të afruar lojtarë në janar.
Kujtojmë që shkaku ishte ish-lojtari Moctar Cisse, prej të cilit Tirana duhet të paguajë rreth 300 mijë euro. Ka qenë vetë klubi bardheblu që ka konfirmuar lajmin e mirë për të gjithë tifozët e saj përmes një deklarate zyrtare.
“KF Tirana njofton se ka zgjidhur përfundimisht cështjen e bllokimit të merkatos. Pas orësh të gjata komunikimi me zyrtarë të FIFA-s bëjmë me dije se ditën e sotme është hapur sërish mundësia e transferimit të lojtarëve.
Nga sot do të vijojmë të kryejmë të gjitha procedurat e nevojshme për zyrtarizimin e emrave te rinj që do të afrohen në klub dhe do të mbajnë veshur fanellën në vazhdimësi të sezonit”, shkruhet në deklaratë.
LËMSHI ME CISSE – Në korrik të vitit 2015, sulmuesi iu bashkua skuadrës së Wydad Casablanca në Marok. Në janar të vitit 2016 ai nënshkroi më Berkane, ku do të huazohej për gjashtë muaj. Wydad në krahun tjetër nuk e lejoi këtë lëvizje dhe i kërkoi të shkonte në divizionin e dytë, me Sale, për pjesën e mbetur të sezonit.
Cisse nuk e pranonte huazimin dhe donte të bashkohej me Hoceima, klub që kishte shprehur interes për të. Qartazi kishte një çështje mes tij dhe klubit maroken dhe kjo u konfirmua edhe pasi iu bashkua Tiranës, verën e vitit 2016.
FIFA dha “OK”-in për sulmuesin, i cili luajti Për Tiranën nga muaji nëntor. 23 ndeshje dhe 2 gola në Superiore, ishte bilanci i Cisse me kampionët e Shqipërisë, por më pas ai humbi gjyqin me Wydad Casablanca.
Tirana, si përfituese e shërbimeve të tij ishte e dënuar të paguante në rast se lojtari nuk e bënte diçka të tillë. Rreth 300 mijë euro bllokuan përkohësisht merkaton e kampionëve në fuqi, që sot njoftuan edhe zgjedhjen e këtij problemi të madh. /abcnews.al