Nga Leontina Nika
Skena e pavarur nga pandemia është ne fazë asfiksie. Sipas përfaqësuesit Andi Tepelena mungesa e mbështetjes financiare, ka varfëruar ndjeshëm jetën artistike në vend.
“Skena ka shkruar drejt asfiksisë, në kushte të mbijetesës. Edhe festivalet më dinjitoze që kishin një vokacion ndërkombëtar pothuajse janë shuar fare dhe nuk e di a do ta kenë shansin për t’iu kthyer artit dhe kulturës.”
Ministria e Kulturës, sipas Tepelenës thuajse e ka braktisur skenën e pavarur, krahasimin e bën me Kosovën e cila, ka alokuar fonde të posaçme për këta artistë.
“Vendi ndodhet në një situatë të tillë, pandemie, arti dhe kultura ka kaluar automatikisht në vendin e fundit.. Në Kosovë, 2.5 milionë euro për krijuesit e pavarur në kushtet e pandemisë.”
Zgjidhja e ngërçeve të tilla, vjen vetëm nga statusi i artistit i cili zvarritet prej 30 vitesh. Përfaqësuesit e skenës së pavarur, kërkojnë këtë fillim vit që të merret ne konsideratë drafti i paraqitur që në vitin 2014, i cili fle në sirtarët e ministrisë së Kulturës.
“Ne kemi kërkuar si skenë e pavarur, kemi edhe një marrëveshje mirëkuptimi me ish-ministren Mirela Kumbaro, kemi paraqitur një draft ku kërkohej rregullimi i statusit të artistit. Kemi kërkuar krijimin e qendrës së pavarur të arteve. Ka nevojë për skena mbështetëse për artistët e rinj.”
Ndërkohë që ministria e Kulturës, përmes aplikimit në projektet artistike e, mbështet me 200 mijë euro ne vit për projektet artistike të skenës së pavarur, ku sipas artistëve janë të pamjaftueshme. /abcnews.al/