Drejtësia amerikane i ka thënë “JO” urdhërit të presidentit Donald Trump për të dëbuar emigrantët e rinj që kanë mbërritur në Amerikë në moshë të mitur. Gjykata e Uashingtonit ka kërkuar rikthimin e programit që parashikon mbrojtjen e tyre.
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka vendosur se presidenti Trump duhet të riaktivizojë plotësisht programin për mbrojtjen nga dëbimi emigrantët e rinj, që kanë mbërritur në Amerikë në moshë të mitur. Gjyqtari i rajonit të Uashingtonit, John Bates ka deklaruar se vendimi përfshin edhe pranimin e aplikimeve të reja për t’u bërë pjesë e programit për të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrën amerikane. Ai ka nënvizuar se i ka dhënë kohë deri më 23 gusht administratës për të vendosur nëse do ta pranojë vendimin apo do ta apelojë atë.
Një vendim të ngjashëm në mbështetje të programit DACA, Bates e kishte dhënë edhe në prill dhe kishte paralajmëruar se nuk do ta rishikonte atë, pasi asokohe zyra e presidentit Trump nuk i kishte dhënë garanci të mjaftueshme për fatin e të rinjve. Në bazë të programit në fjalë, rreth 700 mijë djem e vajza u mbrojtën nga deportimi. Secilit prej tyre iu dha leje 2-vjeçare pune në Shtetet e Bashkuara, në përfundim të të cilës duhet të riaplikonin. Programi u krijua në vitin 2012 gjatë presidencës së Barack Obama. Më herët, dy gjykata federale në Kaliforni dhe Nju Jork kishin urdhëruar që programi të mbetej në fuqi, duke sfiduar kështu urdhërin e presidentit Trump për mbylljen e tij. Por vendimet kanë mbetur pezull për shkak se duhet konsensusi i qeverisë që programi të ripërtërihet./abcnews.al