Viti 2020 hyn tek ato vitet që shumë njerëz do kishin dashur ta fshinin, por ka edhe nga ata që kanë regjistruar disa suksese. Një prej tyre është portieri Visar Bekaj. “Të them të drejtën ka qenë një vit jo i mirë për të gjithë.
Personalisht kam arritur të fitoj Kupën e Kosovës me Prishtinën, ka shkuar shumë mirë. Pastaj jam transferuar te Tirana, ku më ka ecur shumë mirë”, tregon portieri i Kosovës, i cili flet më pas se si po i shkojnë gjërat me bardheblutë në Superiore.
“Jam ambientuar, më kanë pritur shumë mirë dhe kam shkuar nga një kryeqytet në tjetrin kryeqytet shqiptar. Duke filluar nga kryesia e klubit, lojtarët dhe tifozët, më kanë përkrahur dhe pritur shumë mirë”, shton Bekaj për “Zëri.info”.
Në Superiore portieri ka veçuar një ndeshje: “Do ta veçoja ndeshjen me Laçin, pasi kam pritur një penallti që ka qenë ndoshta vendimtare. Aty fituam minimalisht. Jam i kënaqur që morëm tri pikë nga ajo sfidë”.
Sigurisht në fund ai bën edhe një parashikim për kampionatin dardan: “Gjithmonë e ndjek Superligën e Kosovës. Prishtina ka pasur një krizë të rezultateve, por më pas filloi ta marrë veten. Trajneri Zekerija Ramadani ka nisur të kapë lojën e tij.
Dihet që është një trajner shumë i mirë, është trajner që ka trofe. Besoj që sezonin e dytë do të jenë edhe më mirë dhe besoj që do të dalin kampion. Shpresoj që ky vit të jetë shumë i mirë. Dua që të dalin kampion Tirana dhe Prishtina”. /abcnews.al