Pak persona do e mbajnë mend për mirë vitin 2020. Shpërthimi i pandemisë Covid-19 shkaktoi shumë të vdekur dhe ndryshoi stilin e jetës së njerëzve. Bota e futbollit u përball edhe me tre humbje të mëdha. Gjatë këtij viti humbëm emra si Kobe Bryant, Diego Armando Maradona dhe Paolo Rossi.
Të gjithë emra të mëdhenj të basketbollit dhe futbollit, dhe idhuj të miliona tifozëve nëpër botë. Kobe Bryant humbi jetën më datë 26 janar. Legjenda e NBA u ndaj nga kjo jetë në moshën 41-vjeçare në mënyrë tragjikë pas rrëzimit të helikopterit me të cilin po fluturonte.
Të njëjtin fat të keq pati edhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna Bryant, dhe shtatë persona të tjerë, duke përfshirë edhe pilotin Ara Zobayan. Përplasje në një kodër jo shumë larg Los Angeles qëlloi fatale për pjesëtarët e ekuipazhit. Vdekja e “Black Mamba” dhe vogëlushes së tij i trishtoi të gjithë.
Afrohemi më 25 nëntor, datë që solli fundin fizik të Diego Armando Maradonës, për shumëkënd futbollisti më i mirë i historisë së futbollit. “El Diez” pësoi një atak kardiak dhe u largua nga kjo botë në moshën 60-vjeçare.
Vdekja e legjendës argjentinase u përjetua shumë keq, sidomos në Buenos Aires dhe Napoli. Homazhet dhe nderimet në lidhje me Maradonën ishin të shumta. Kryetari i Bashkisë së Napolit, qytetit ku kaloi vitet më të bukura të karrierës, vendosi që stadiumi të merrte emrin “Diego Armando Maradona”.
Maradona fitoi Botërorin e vitit 1986 me Argjentinën si protagonist, teksa me Napolin fitoi 2 tituj kampionë, një Kupë UEFA, një Kupë Italise dhe një Superkupë Italie. Kalojmë te data 9 dhjetor, kur vdiq një tjetër ish-futbollist i madh dhe kampion bote.
Flasim për Paolo Rossin, idhullin e tifozëve italianë por edhe atyre shqiptarë. Ish-sulmuesi udhëhoqi Italinë drejt majës së botës në vitin 1982, kur ia doli të fitonte edhe “Topin e Artë”. Trofe pafund edhe me Juventusin për goleadorin e njohur, i cili humbi jetën në moshën 64-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë. /abcnews.al