Policia e Shtetit vazhdon kontrollet për të mos lejuar që për Vitin e Ri të shiten kapsolle, që janë të rrezikshme për sigurinë e jetën e qytetarëve, por edhe për ndalimin e mjeteve të tjera piroteknike.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat bëhet me dije se janë proceduar penalisht disa pronarë, që sheshin mjete piroteknike, ndërsa ka sekuestruar kapsolla dhe fishekzjarrë të ndryshme. Ndalimi i tregtimit të fiishekzjarreve është bërë në Tiranë, Fier, Lushnjë, Dibër etj.
Këtë të enjte specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht tregtuesin e këtyre lëndëve, shtetasin A. H., 26 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Evidentohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, një rast i shitjes së lëndëve piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese.
Sekuestrohen qindra fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve gjatë përdorimit civil të tyre.
Procedohet penalisht tregtuesi i tyre.
Po si rezultat i kontrolleve, gjatë muajit dhjetor janë goditur raste të tregtimit të lëndëve piroteknike në disa qarqe dhe janë arrestuar ose proceduar personat përgjegjës.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të nisura që prej fillimit të muajit dhjetor, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë konstatuar një shtetas në tregun e fshatit Kritje, Lushnjë, duke tregtuar një sasi lëndësh piroteknike të rrezikshme për jetën e qytetarëve, në rast përdorimi nga fëmijët apo personat e paautorizuar për përdorimin e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht tregtuesin e këtyre lëndëve, shtetasin A. H., 26 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Po gjatë muajit dhjetor, në Tiranë janë goditur dy raste të tregtimit të lëndëve piroteknike. Është sekuestruar një magazinë me lëndë piroteknike të rrezikshme dhe poseduesi i tyre është vënë në pranga. Në Dibër janë goditur dy raste, janë sekuestruar kapsolla me fuqi të lartë shpërthyese dhe janë proceduar nga Policia poseduesit e tyre. Në Lezhë janë sekuestruar qindra fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese dhe poseduesi i tyre është arrestuar në flagrancë.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke iu garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. Njëkohësisht, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të bizneseve që të respektojnë masat anticovid në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, pasi nuk do lejohen daljet nëpër rrugë e sheshe./abcnews.al