Veliaj në Laprakë: Bashkëpunimi qeveri-bashki, histori suksesi

schedule14:42 - 2 Gusht, 2018

schedule 14:42 - 2 Gusht, 2018

Bashkia e Tiranës po punon për rikualifikimin urban të një blloku të ri banimi në kryeqytet, kësaj radhe në Laprakë. Gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku Erion Veliaj nënvizoi se të tilla projekte realizohen falë bashkëpunimit me qeverinë.

Ky bllok banimi është në njësinë 11 të kryeqytetit, në Laprakë. Janë ndërtuar rrugët lidhëse midis rrugëve “Marubi” dhe “S. Bruzi”, si dhe është kryer sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të shiut, ujësjellësi dhe ndriçimi.
Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës e ka pasur një pikënisje.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur nga mënyra se si kanë ecur punimet në këtë zonë me rrugët “Marubi”, “Bruzi” dhe rrugicat që i lidhin ato. Mbaj mend se kam qenë ekzaktësisht përpara 3 vitesh këtu, në një familje këtu afër, të cilët më thanë: “Kryetar, do të votojmë për ty, por rrugës tonë s’ka për t’i ardhur radha në mandatin e parë”. Ende s’ka mbaruar mandati i parë, jemi në vitin e 3-të dhe po mbajmë premtimet që kemi dhënë në fushatë, për t’u siguruar se bëjmë gjithçka kemi premtuar. Përkundrazi, u bë jo vetëm rruga që u premtua, por i gjithë blloku”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese me impakt pozitiv për të gjithë komunitetin.

“Duhet bashkëpunim të lirojmë nga pak trotuar. Një shtëpi me trotuar, me ndriçim, me rampë, me kanalizime, me infrastrukturë nëntokësore, me hapësirë për fëmijët dhe nënat me karrocë, ku gjyshërit ecin të sigurt, është një shtëpi me vlerë. Ndaj, ftesa ime për të gjithë banorët është: fadroma e bashkisë nuk vjen që t’u rimarrë tokën ose pronën, që sapo e legalizoi qeveria. Përkundrazi, vjen që ta urbanizojë atë, që t’ia rrisë vlerën pas legalizimit”.

Paralelisht me përfundimin e rifiniturave të fundit të rrugës, po vijon puna edhe me institucionet e tjera për zhvendosjen e disa shtyllave.
Kryebashkiaku tha se bashkëpunimi Qeveri-Bashki në këto vite ka rezultuar histori suksesi, duke thyer rekord jo vetëm në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, por edhe në urbanizmin e këtyre zonave.

“Qeveria ‘Rama’ dhe kjo bashki do të mbahen mend për faktin që kanë thyer rekord: njëra për legalizimet, tjetra për urbanizimet. Filozofia jonë është: qeveria është një hap përpara me legalizimet, pra u bën letrat dhe u jep të drejtën e pronësisë kujtdo që ka vendosur të vendoset në Tiranë, ndërkohë më pas vjen bashkia për të urbanizuar zonën. Them se të dyja palët, qeveri-bashki, kemi arritur një histori suksesi. Ndaj, besoj sot kjo lagje ngryset me një vlerë më të madhe”.

Janë afro 6 milionë euro investime nga viti 2015, që Bashkia e Tiranës ka investuar në infrastrukturë në lagjet e Njësisë 11./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!