Ka shkuar në 93 të vdekur, bilanci tragjik i viktimave i shkaktuar nga zjarri që shkrumboi zonën lindore të rajonit të Atikës në Greqi. Sëfundmi janë gjetur dhe dy trupa të pajetë në det. Ndërkohë, autoritetet vijojnë me operacionet e kërkimit për personat e shpallur të zhdukur.
Policia portuale greke tha të martën se kanë gjetur edhe dy trupa të tjerëj në det, pas zjarrit të 23 Korrikut, duke çuar kështu bilancin e viktimave në të paktën 93 persona. Patrullat po vazhdojnë kërkimin e tyre në det për të gjetur viktima të tjera, i tha AFP-së një përgjegjës i marinës tregtare.
Që pas rënies së zjarreve “ne kemi gjetur në det tetë trupa, dy të fundit të hënën dhe të martën”, tha zyrtarisht policia portuale greke. Trupi i parë u gjet nga Mati, zona më e prekur nga zjarret në bregun lindor të Athinës dhe i dyti në Gjirin Saronik në bregun perëndimor të Attikës. Të shtunën, departamenti i zjarrfikësve gjithashtu llogariti numrin e të pagjeturve në 25, por disa, nëse jo të gjithë, mund të jenë midis 28 viktimave trupat e të cilëve ende nuk janë identifikuar. Shumë banorë të zonës që u hodhën në det për t’i shpëtuar flakëve, thanë se kishin pritur në det për orë të tëra.
Nëntë ditë pas zjarrit, autoritetet dhe vullnetarët vazhdojnë të ndihmojnë ata që kishin humbur të dashurit dhe shtëpitë. Ministria e Infrastrukturës bëri të ditur se janë 1,046 shtëpi të djegura nga gjithsej mes 3,676 banesave që gjenden në këtë lokalitet.
“1,803 ndërtesa janë të banueshme, ndërsa 827 kanë pësuar dëme të konsiderueshme”, tha zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos, i cili njoftoi se do të ketë grante dhe kompensim për viktimat dhe të afërmit e tyre.
Pas kritikave nga opozita, kryeministri Alexis Tsipras të premten mori përgjegjësinë politike për tragjedinë, por pa pranuar dështimin operacional./abcnews.al