Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Debati mbi Muzeun Hebraik/ “Shqipëria ka një histori të veçantë”, Kasmi: Muzeu na nxjerr në pah vlerat më të mira!

schedule20:11 - 19 Nëntor, 2026

schedule 20:11 - 19 Nëntor, 2026

Në emisionin “Real Story” në ABC News, historiani Marenglen Kasmi komentoi debatin e krijuar rreth ngritjes së Muzeut Hebraik në Vlorë, duke e vlerësuar projektin si një nismë që nxjerr në pah vlerat më të mira të popullit shqiptar dhe kontributin e tij në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Kasmi theksoi se çështja duhet parë në dy plane kryesore, atë historik dhe atë politik. Sipas tij, nga pikëpamja historike, ngritja e muzeut është një zhvillim pozitiv, pasi i jep mundësi Shqipërisë të dokumentojë dhe të promovojë një nga faqet më të mira të historisë së saj.

Ai nënvizoi se, ndërsa vende të tjera kanë ngritur muze për të dokumentuar persekutimin, arrestimet dhe deportimet e hebrenjve, Shqipëria ka një histori të veçantë të mbrojtjes dhe strehimit të tyre.



Duke iu referuar debatit politik, historiani kujtoi se për projektin janë zhvilluar procedura dhe diskutime institucionale, duke përmendur edhe vendimet e Këshillit Bashkiak të vitit 2024. Sipas tij, nuk mund të vihet vazhdimisht në pikëpyetje një vendimmarrje e kryer, pasi kjo pengon ecjen përpara.

“Duhet ndarë në disa plane, ku dy planet kryesore janë: plani historik, pra që unë e shikoj një aspekt shumë pozitiv që ne t’i kthehemi dhe ta trajtojmë nëpërmjet ngritjes së këtij muzeu, ku të theksojmë vlerat më të mira të popullit tonë për sa i përket ndihmës që ai ka dhënë gjatë Holokaustit. Sigurisht që këtu mund të diskutosh në detaje pastaj kur vjen puna e ngritjes së muzeut: sa do shtrihet, si do shtrihet, si do ngrihet.

Por në tërësi e shikoj, duke njohur pak edhe duke lexuar më tepër në faqen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), që janë dhe ata që e bëjnë këtë investim…Duke parë mënyrën e ngritjes, më duket një muzeum i cili jo vetëm që plotëson kriteret në pikëpamje të muzeologjisë moderne, por po ashtu sikurse thashë thekson dhe na nxjerr në pah vlerat tona më të mira. Dhe pyetja thelbësore është që, nëse të tjerët sot kanë ngritur muzeume ku tregojnë krimet dhe mosmbështetjen që kanë bërë ndaj hebrejve, pra deri në arrestime dhe deportime, ne kemi një vlerë shumë të madhe që e kemi ruajtur, pse mos ta bëjmë këtë gjë?

Pra kjo është thjesht në aspektin historik, e shikoj krejtësisht normale. Po të hyjmë pastaj në aspektin tjetër të diskutimit politik, sigurisht është një diskutim i cili po bëhet në një kohë të trazuar, me shumë elementë që më tepër po e kundërshtojnë sesa po e mbështesin këtë gjë. Po përsëri i kthehem letrave, vendimeve të marra nga Këshilli Bashkiak që në shkurt të vitit 2024, diskutimet publike, pra të gjitha procedurat të cilat janë kryer në kohë. Dhe pyetja që unë ngre edhe në artikull është kjo: ne nuk mund të rrimë të vëmë gjithmonë në diskutim vendime të marra, të kryera, nëse një grup, qoftë ky i vogël apo i madh, del gjithmonë dhe vë në dyshim vendime të kryera. Kështu nuk mund të ecim dot para.

A ka nevojë për diskutim, ose a ka patur nevojë për diskutim? Ndoshta po, unë nuk e përjashtoj këtë gjë, sikurse nuk e di dhe sa fort është diskutuar. Por di të them një gjë, që të paktën nga ajo që jemi informuar në opinion, e gjitha kjo përfshin më tepër një lloj ndoshta fryme të ngritur antiizraelite duke vënë kryeministrin Rama në qendër: “na e shiti Vlorën”. Tani si mund të shesë Shqipërinë apo Vlorën kryeministri? Këto janë aspekte të cilat mund të shkojnë në pikëpamje folklorike dhe mund të zënë vend në këtë situatë të trazuar ku edhe me nacionalizmin po luhet jashtë mase. Por nëse e shikojmë ftohtë në fund të ditës, shikojmë që është një muzeum i cili i shërben vlerave tona kombëtare. Kështu e shikoj unë”, tha ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!