Ardit Hoxhaj do e mbajë mend gjatë ditën e sotme. Sulmuesi i Vllaznisë shënoi një “poker” golash në fitoren 5-1 ndaj Skënderbeut. Hoxhaj foli pas ndeshjes për Supersport, aty ku rrëfeu emocionet e provuara dhe u dal tek ekipi i tij.
“Emocion shumë i madh. S’e kisha menduar asnjëherë që do të shënoja 4 gola, duke ditur që kampionati jonë është shumë i vështirë. Dua të falënderoj shokët e ekipit.
Do të më pëlqente më shumë të fitoja titullin kampion se sa të shpallesha golashënuesi më i mirë. Jam munduar të bëj më mirë për ekipin. Nuk e kam objektiv të dal golashënues.
Topi? Nuk është topi i ndeshjes, mora një të pastër që ta firmosin të gjithë lojtarët. Kam pasur shumë luhatje në karrierë, sepse kam bërë zgjedhje të gabuara. Sivjet zgjodha Vllazninë që të luaj dhe të konfirmoj një sezon të mirë, pse jo të transferohem jashtë më pas. Transferimi te Vllaznia ishte i duhuri.
Konkurrenca është mjaft e fortë në këtë grup lojtarësh. Merkato? Nuk mendoj se drejtuesit do të bëjnë shumë afrime për të prishur grupin në janar. Mendoj se do të bëjnë një merkato të kujdesshme“, përfundon sulmuesi i ekipit shkodran. /abcnews.al