Janë hapur për herë të parë në Bashkinë Himarë, sportelet e Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka njoftuar se nga data 15 Gusht do të fillojë shpërndarja e 815 certifikatave të pronësisë, të parat për banorët e fshatit Dhërmi.
Nuk do të shkojnë më në Vlorë e në Sarandë. Banorët e Himarës dhe fshatrave përrreth për të marrë shërbime që lidhen me pronat e tyre. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hapur në Bashkinë e Himarës një degë të saj, me sportele të dedikuara.
Për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri, kjo zyrë ka qenë një premtim i qeverisë, sot i mbajtur.
“Realisht ka qenë një premtim i qeverisë, një premtim i mbajtur. Nuk është i vetmi pasi qytetarët e Himarës e dinë se shumë shpejt do të hapet edhe zyra e shërbimit të transportit rrugor. Tashmë është përzgjedhur personeli dhe për pak ditë do të bëhet gati edhe zyra, pra pjesa logjistike dhe ky shërbim do të ofrohet në Bashkinë e Himarës. Me vendimin e fundit të marrë nga qeveria shqiptare në lidhje me problematikat e trashëguara të shtëpive të vjetra në Himarë, ky problem do të marrë zgjidhje. Pra, qytetarët himariotë, të cilët për shkak të mangësive të dokumentacionit të trashëguara edhe para viteve ‘90 nuk kanë pasur dokumentacion, shumë shpejt do të pajisen me certifikatat e shtëpive të tyre”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dhënë edhe një tjetër lajm për banorët e fshatit Dhërmi, për të cilët ZRPP ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të këtij fshati.
“Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të fshatit Dhërmi, që janë 815 pasuri, të cilat që nga 15 gushti do të mundet të marrin certifikatat e pronësisë. ZRPP e ka bërë këtë si një projekt pilot, për ta shtrirë më pas regjistrimin fillestar në të gjitha zonat që i përkasin bashkisë së Himarës. Kjo zyrë ka një vlerë të shtuar për shkak të këtyre shërbimeve të shtuara që do të duhet t’u ofrohen banorëve të zonës, me qëllim njëherë e mirë t’u japim zgjidhje të gjitha problematikave të paraqitura deri tani lidhur me titujt e pronësisë”, ka thënë Ministrja e Drejtësisë.
Fshati Dhërmi përbëhet nga 815 pasuri me një sipërfaqe 30 mijë m² dhe është zona e parë në pjesën e bregut për të cilën mund të lëshohen certifikata pronësie./abcnews.al