Kryeministri Edi Rama, në ambientet e Kryeministrisë, në një intervistë të dhënë për gazetarin Blendi Fevziu në emisonin “Opinion” foli për rrugëtimin në politikë, marrëdhëniet me të tjerët, raportin me veten e me pushtetin, duke u ndalur edhe tek diktatori, Enver Hoxha.
Kryeministri u shpreh se nëse termi “kafshë politike” i përket atyre njerëzve që instiktin e dominimit politik e kanë më të fortë se të tjerët, për Ramën, diktatori Enver Hoxha është padyshim një kafshë politike.
“Mendoj që nëse fjala kafshë politike, është një term që përkufizon ata që cilësinë e instiktit të triumfit të dominimit politik e kanë më të fortë se të tjerët, Enver Hoxha është kafsha më e madhe politike pa asnjë diskutim”, tha kryeministri Rama.
Po ashtu gjatë bashkëbisedimit Rama tregon edhe raportet me babain e tij, ndërsa thekson se ai ka besuar tek sistemi komunist deri në vitet ’70.
“Im atë ishte komunist, deri vonë besonte tek ai sistem dhe besoj që besonte deri në fund t viteve ’70. Por ishte një njeri i përmbajtur, i heshtur, ai s’kishte asnjë lidhje me pushtetin. Nga pikëpamja e punës së tij ai zyrë të vetën kishte vetëm atë ku bënte skulptura”, u shpreh kryeministri Rama.
/abcnews.al/