Deputetja demokrate, Albana Vokshi, nga foltorja e selisë blu ka denoncuar edhe njëherë koncesionin e check-up si të dështuar por të mbrojtur politikisht nga kryeministri Edi Rama. Sipas demokratëve, numri i analizave të kryera është shumë me i vogël se ai për të cilin paguhet koncesionari, i cili prej 2015-s është paguar në vlerën 7 milionë euro.
Tre vjet pas dhënies së koncesionit të kontrollit të përgjithshëm shëndetësor, të njohur si check-up, opozita vijon denoncimin e asaj që quan “simbol i korrupsionit në shëndetësinë e Edi Ramës”. Fituesja e këtij koncesioni, theksoi nga foltorja e selisë blu Albana Vokshi, paguhet prej 2015-s me rreth 7 milionë euro në vit edhe sikur kontrollin shëndetësor falas të mos e bëj as edhe një qytetar i vetëm.
“Jo vetëm se analizat janë të pasakta dhe burrat rezultojnë shtatzanë dhe gratë me prostatë, por edhe sepse, me gjithë fallsifikimet dhe rritjet fiktive, vetëm 26 përqind e popullsisë që përfiton, kanë kryer analizat e check up-it”.
Kjo edhe pasi kryeministri zgjeroi fashën e moshës për ata që përfitojnë check-up dhe urdhëroi që ndihma ekonomike të mos shpërndahet për ata që janë në ndihmë ekonomike nëse nuk e kanë kryer këtë kontroll, theksoi Vokshi.
“Pavarësisht numrit shumë të ulët, sipas kontratës korruptive, klientja dhe sponsorizuesja e Edi Ramës është paguar miliona euro për shërbime të pakryera kurrë. Në tre vite, Vilma Nushi është paguar 6.4 milionë euro për mbi 420 mijë analiza të pakryera asnjëherë”.
Pavarësisht se KLSH ka kërkuar që koncesionari të mos paguhet për shërbime të pakryera, Edi Rama ka urdhëruar të mos bëhet rishikimi i kontratës së Vilma Nushit, thekson Albana Vokshi, e cila thekson qëndrimin e demokratëve për anullim të kontratës dhe programimin e 7 milionë eurove të përvitshme për rritjen e shërbimit në spitale.