Një 30-vjeçar është arrestuar në Fier në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, pasi u kap duke transportuar me një automjet luksoz “Porsche Cayenne” lingota dhe monedha floriri, si dhe një shumë parash, për të cilat nuk dispononte dokumentacion mbi origjinën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 9 monedha floriri, 4 lingota floriri, 4000 euro dhe 93 mijë lekë. Sipas policisë, 30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që të justifikonte origjinën apo burimin e sendeve me vlerë dhe parave.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij në Roskovec, ku u gjet një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi Armando Bixheku u arrestua dhe akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Policia ka sekuestruar sendet me vlerë, paratë dhe automjetin “Porsche Cayenne”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë.
Ndërkohë, operacioni është i shtrirë në të gjithë vendin dhe synon verifikimin ose justifikimin e mjeteve të luksit për shtetasit që qarkullojnë me mjete të tilla.
Bazuar në një listë të “zezë” ku rezultojnë personazhe të dyshimtë për origjinën e parave të jetës së tyre luksoze, po ushtrohen kontrolle në rrugë.
Mjetet luksoze të shtetasve që dukshëm nuk e justifikojnë pasurinë përfshihen në kontrollet e policisë teksa qarkullojnë me automjetet e tyre. Në një nga këto kontrolle u kap dhe u gjetën lingotat e floririt e më pas nga kontrolli në banesën e 30-vjeçarit sendet dhe paratë.
/abcnews.al/


