“Hija” është armiku i ri i karteleve kolumbiane të drogës. Humbja e rreth 10 tonelatave kokainë ka detyruar grupet kriminale të vendosin një shpërblim mbi kokën e tij, shumë më të lartë se ato për oficerët e policisë.
Një kartel famëkeq droge në Kolumbi ka vendosur një shpërblim prej 60 mijë eurosh mbi kokën e armikut më të betuar të tij, një qeni anti-drogë të policisë që u ka vënë shkopin ndër rrota trafiqeve. Urabenjos, e konsideruar organizata kriminale më e fuqishme në vendin latin, e ofroi shpërblimin pasi pastori gjerman zbuloi rreth 10 tonë kokainë.
Sombra, që do të thotë Hije, thuhet se është gjithashtu përgjegjës për kapjen e 245 të dyshuarve ndër vite. Shumica e arrestimeve janë verifikuar gjatë punës së saj në portet në brigjet e Atlantikut, prej nga nisen sasi të mëdha kokaine drejt Amerikës Qendrore dhe Asaj të Veriut.
Qeni 6-vjeçar, i seksit femër, ka marrë vlerësime të larta nga krerët e policisë kolumbiane, të cilët e kanë transferuar në aeroportin e kryeqytetit Bogota, për ta larguar nga rreziku. Gjithashtu, Sombra, përveç agjentit që e kontrollon, shoqërohet nga oficerë të tjerë që kujdesen për sigurinë e saj.
Vetëm pak muaj para transferimit, kafsha besnike zbuloi 5.3 tonë kokainë në portin e Turbos dhe një ngarkesë tjetër prej 4 tonësh të fshehur në pjesë këmbimi për automjetet, gati për t’u eksportuar.
6 vite më parë, karteli Urabenjos ofroi 500 dollarë për këdo që vriste një oficer policie, por kjo ofertë është harruar pas shifrës së vënë mbi kokën e Sombras, gjë që tregon sesa dëme qeni i ka shkaktuar perandorisë kriminale./abcnews.al