Ëndrra e tij vazhdon, por gjithnjë e më shumë po kthehet në ëndërr të keqe.
Kristiano Ronaldo nuk arriti sërish të shënonte në Kupën e Botës, për të dytën herë ndërsa Portugalia pati një rival të fortë përballë.
Madje, Kolumbia është më e fortë sesa Republika Demokratike e Kongos, dhe këtë e tregoi në fushën e lojës në stadiumin e Majemit.
E nxitur nga një publik prej rreth 65 000 spektatorësh, shumica kolumbianë dhe përkrahës të Mesit, pra anti-Ronaldo, skuadra amerikanolatine luajti më mirë dhe duhej të kishte fituar.
Me yje ofensivë si Luis Diaz, Kordoba apo Hames Rodrigez, pa harruar mbrojtjen dhe mesfushën, ekipi I trajnerit Hektor Lorenco bëri më shumë.
Mbati topin gati 55 për qind, dhe pati dyfishin e gjuajtjeve të portugezëve, madje bilanci I goditjeve në kuadrat ishte plot 6-2.
Kordoba, Rios dhe Puerta patën mundësi të mira për të shënuar.
Ronaldo u duk I ngadalshëm në sulmin e “luzitanëve”, që janë konsideruar shpesh si pretendent I madh për titullin, por që po zhgënjejnë me lojën e tyre.
Në fund, Kolumbisë iu anulua një gol për pozicion jashtë loje krejtësisht minimal të Davidson Sançezit.
Trajneri Lorenco bëri shaka duke thënë se do ta këshillonte lojtarin e tij që të shkonte tek një specialist podolog përpara ndeshjes së ardhshme.
Në raundin e dytë, kolumbianët do të jenë përballë Ganës, ndërsa Portugalia do të ketë një duel tepër të vështirë ndaj të tretës në botës, Kroacisë.



