“Rrezik për provat”! Apeli ashpërson masën për gjyqtaren, burrë e grua “kyçen” në shtëpi

schedule16:00 - 17 Dhjetor, 2020

schedule 16:00 - 17 Dhjetor, 2020

Nga Glidona Daci

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ashpërsuar masën e sigurisë për gjyqtaren Mimoza Margjeka. Margjeka ishte në masën e sigurisë detyrim paraqitje, por tashmë është ridërguar sërish në arrest shtëpie.

Kthimin e gjyqtares në arrest shtëpie e kërkoi prokuroria me argumentin se për të çuar dhe për të marrë fëmijën nga kopshti ka autorizim dhe për këtë arsye nuk ka përse të ndryshohet masa, pasi po sipas organit të akuzës “përbën rrezik për provat”.

Në arrest shtëpie është lënë bashkëshorti i saj Arben Cara. Ai ishte në qeli, ndërsa tashmë hetimet për të do të vijojnë në arrest shtëpi. Pra çifti është “kyçur” në shtëpi nga gjykata e Apelit. Seanca për masën ishte me dyer të mbyllura.

Margjeka akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi nga përgjimet e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se ka marrë 6000 euro në këmbim të nxjerrjes së Orion Balit nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”.

Së bashku me Margjekën në atë kohë SPAK mori nën hetim edhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara, avokatin e Orion Balit, Skënder Demiraj, vëllanë e të pandehurit Nejton Balin dhe sekserin Klaudjo Zhilla./ db/Abcnews.al