Temperaturat rekord në Japoni kanë shkaktuar të paktën 30 viktima. Ndërkohë që me mijëra persona në vend janë shtruar në spital si pasojë e të nxehtit. Autoritetet japoneze kanë dhënë alarmin dhe për Lojërat Olimpike që do mbahen në Tokio në Korrik–Gusht 2020.
Japonia është përfshirë nga një valë të nxehti, ku temperaturat shënojnë deri në 40 gradë celsius. Deri tani, bilanci flet për 30 viktima, mes të cilave dhe një fëmijë gjashtë vjeç. Ndërkohë me mijëra persona janë shtruar në spital. Pas përmbytjeve që në fillim të muajit Korrik shkaktuan 200 viktima, Japonia tashmë po përballet me valën e të nxehtit. Autoritetet japoneze dhanë alarmin pasi temperaturat e shënuara në zonat në qendër kaluan mbi 40 gradë celsius.
Në Kioto prej një jave temperaturat shënojnë mbi 38 gradë, një fenomen që nuk është regjistruar ndonjëherë, që kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat nga viti 1880. Vala e të nxehtit po vështirëson punën në zonën perëndimore të Japonisë, e cila u godit nga përmbytjet dhe ku 4500 persona rezultojnë të pastrehë.
Shqetësim ka dhe për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio nga 24 Korriku deri në 9 Gusht të 2020-s. Kalendari i provave atletike, që nisi në 19 Korrik, ka caktuar orët e para të mëngejst, pikërisht për shkak të temperaturave të larta. Por federate japneze kërkon një orë dhe më të hershme se ora 7 e mëngjesit, sipas asaj që raporton e përditshmja franceze Le Monde.
Përveç atletëve, i nxehti mund të shkaktojë problem dhe në publik. Për të shmangur rreziqet, organizatorët do të instalojnë një tendë të ndihmës së shpejtë në çdo zonë që do të përfshihet në strukturën e Lojërave Olimpike./abcnews.al