Takimi Trump-Putin duket se ka dhënë efektet e para në shkrirjen e akujve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Uashingtoni zyrtar ka deklaruar se është gati të heqë sanksionet e vendosura ndaj gjigantit rus të aluminit “Rusal”.
Departamenti amerikan i Thesarit ka deklaruar se është i gatshëm të heqë sanksionet për prodhuesin më të madh rus të aluminit, “Rusal”. Ka qenë vetë sekretari Steven Mnuchin që ka bërë këtë deklaratë, pas përpjekjeve të kompanisë për të bindur administratën amerikane që të lehtësojë masat shtrënguese.
Sidoqoftë, në Prill ishte pikërisht Departamenti i Thesarit që vendosi sanksionet ndaj pronarit të “Rusal”, miliarderit Oleg Deripaska dhe 8 kompanive ku ai është aksioneri kryesor, si kundërpërgjigje ndaj atyre që u quajtën “aktivitete dashakeqe” të Rusisë.
Por sanksionet futën në kaos tregun ndërkombëtar të aluminit, duke detyruar vende të ndryshme që të lobonin në Uashington për heqjen e tyre. Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, sekretari Mnuchin ka deklaruar se nëse në negociatat me “Rusal” arrihet një zgjidhje e pranueshme, atëherë heqja e masave shtrënguese mund të bëhet realitet.
“Ky është objektivi ynë, jo të nxjerrim “Rusal” jashtë loje”, ka thënë Mnuchin.
Deklarata e tij është bërë në Sao Paolo, para udhëtimit për në Argjentinë, ku do të zhvillohet samiti i ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-s./abcnews.al