Vedat Muriqi në verën e shkuar la Fenerbahce dhe kaloi te Lazio për 17.5 milionë euro. Transferimi i tij u prit me shumë bujë edhe në Itali, por deri më tani sulmuesi nuk ka arritur të tregojë cilësitë e tij.
Goli i parë në Serie A nuk ka ardhur ende dhe e gjithë kjo e hedh atë në merkato që në janar. Nga Turqia u përfol për një rikthim të tij në këtë vend, saktësisht te rivalët e Fenerit, Galatasaray.
U fol se ai do të zëvendësonte Falcaon e dëmtuar, por këto thashetheme marrin menjëherë përgënjeshtrimin e vetë menaxherit të Muriqit, Haluk Canatar.
Ai shprehet se Muriqi ka pritshmëri të mëdha në Itali dhe nuk ka ndërmend të largohet. Sipas tij, dardani pretendon të rikthehet në versionin e tij shpejt, pas vështirësive prej dëmtimit dhe infektimit me Covid-19.
“Vedati nuk mundi të stërvitet me skuadrën para nisjes së sezonit për shkak të një dëmtimi. Ai më pas u infektua me Covid-19. Muriqi ka pritshmëri të mëdha në Itali. Thashethemet për Galatasaray nuk janë absolutisht të vërteta”, u shpreh Canatar. /abcnews.al