Tatimet, kontrolle në bregdetin e jugut

schedule15:17 - 20 Korrik, 2018

schedule 15:17 - 20 Korrik, 2018

Inspektorët e tatimeve po vijojnë kontrollet në bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në turizëm në bregdetin e jugut. Pas kontrolleve në terren i kanë bllokuar aktivitetin 9 hoteleve dhe 2 lokaleve.

Jugu i vendit vijon të jetë në lupën e tatimeve.

Kontrollet e detajuara me qëllim reduktimin e informalitetit dhe garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, Drejtoria e Hetimit Tatimor i ka përqendruar në Sarandë, Ksamil, Himarë e Dhërmi.

9 hotele janë bllokuar pasi nuk ishin regjistruar në organet tatimore, ndërsa dy biznese për moslëshim të kuponit tatimor për herë të dytë.

Këto të fundit nuk do të ushtrojnë aktivitetin për 30 ditë, ndërkohë që për hotelet, masa e marrë do të qëndrojë në fuqi deri në regjistrimin e tyre si subjekte me TVSH.

Vetëm një javë më parë, tatimet raportonin bllokimin e 7 subjekteve të tjera të paregjistruara në zonat bregdetare. Bllokimet e aktivitet kanë përfshirë edhe restorantet e lokalet.

Drejtoria e Hetimit Tatimor ka deklaruar se do t’i vijojë kontrollet përgjatë të gjithë sezonit veror, ndërsa iu ka bërë thirrje tatimapaguesve në zonat turistike të respektojnë detyrimet ligjore si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj./abcnews.al